Aparatet e Dëgjimit

Vendosja e një aparati dëgjimi apo proteze akustike rekomandohet në rastin e dëmtimit të rëndë deri në të thellë të nervit të dëgjimit, otosklerozës, traumave të hershme akustike, të rinjve me shurdhësi të lindur, dëmtimit të nervit në fëmijëri gjatë gjendjeve virale, gjendjeve hipertermike, si dhe kur mjeku ORL nuk rekomandon zgjidhje me ndërhyrje kirurgjikale apo trajtime medikamentoze.

Aparatet e sotme të dëgjimit janë dixhitale dhe funksionojnë një sajë të një qarku kompleks që pëbehet nga:

Mikrofoni, që kap tingullin

Çipi kompjuterik, që amplifikon dhe proçeson tingullin

Folësi’, që dërgon sinjalin në vesh, dhe bateria.

Një nga sfidat e mjekëve ORL, por dhe audiologëve për shoqërinë tonë mbetet mposhtja e mentalitetit të pacientëve të rinj në moshë, si dhe individëve mbi 50 vjeç, se të vendosësh një aparat nuk të bën të dukesh më i vjetër në moshë.

Hezitimi për t’u pajisur me aparat dëgjimi, veçanërisht në rastin e fëmijëve me rënie të lindur të dëgjimit ndikon dukshëm në zhvillimin psikosocial të tyre, si dhe shoqërohet me vonesë në të folur dhe në zhvillimin gjuhësor, mosreagim ndaj zhurmave të mëdha, performancë të ulët në shkollë, probleme të sjelljes etj.

Ndërkohë për pacientët e rinj që e zbulojnë në mënyrë rastësore dëmtimin e nervit të dëgjimit për arsye të akomodimit me atë nivel dëgjimi, rekomandohet vendosja e menjëhershme e aparatit të dëgjimit për ta mbajtur në tonus nervin e dëgjimit, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientit.

Megjithëse një pacient, arrin të përfitoj dukshëm dhe nga përdorimi i një aparati, është e rekomandueshme vendosja e dy të tillave. Kjo për arsye të perceptimit të koordinuar nga të dy veshët të valëve zanore dhe dëgjim më të mirë.Aparati i dëgjimit blihet aty ku jeton sepse ka nevojë për servis, ngritje graduale të volumit të zërit, gjë që bëhet në mënyrë dixhitale pranë kompanisë ku e blen. Ndërkohë aparatet në Kabinetin tonë ofrohen me 2 vjet garanci dhe janë me jetëgjatësi mesatare që shkon deri në 8 – 10 vjet.