Mekanizmi i dëgjimit, si dhe ai i ekulibrit është mjaft i ndërlikuar.

Kjo, pasi dridhjet (vibracionet) e tingujve shkaktojnë stimulimin e receptorëve të dëgjimit, kurse lëvizjet e kokës trazojnë lëngjet që rrethojnë organet e ekuilibrit. Pavarsisht nga kjo, organet e dëgjimit na lejojnë të dëgjojmë një diapazon të gjerë tingujsh, kurse receptorët e ndjeshëm të ekuilibrit e mbajnë sistemin nervor vazhdimisht të informuar për pozicionin dhe lëvizjen e kokës. Ndonëse organet që u shërbejnë këtyre ndijimeve ndodhen në brendësi të veshit, receptorët e tyre u përgjigjen stimujve të ndryshëm dhe aktivizohen në mënyrë të pavarur nga njëri tjetri.

Kështu tingujt prodhojnë vibracione të ajrit, të cilat përçohen në membranën timpanike, që vë në lëvizje vargun e kockave të veshit të mesëm (çekiçi, yzengjia, dhe kudhra). Këto të fundit ushtrojnë trysni mbi lëngjet që qarkullojnë në labirintet e veshit të brendshëm. Lëvizja e lëngjeve shoqërohet nga lëvizja e membranave dhe e qelizave me qërpikë, të cilat stimulojnë neuronet që gjenden aty pranë. Neuronet e stimuluara gjenerojnë potenciale veprimi që shpërhapet drejt trurit. Interpretimi I këtyre impulsive përbën atë që ne e quajmë dëgjim.
Ndryshe nga drita që mund të përçohet përmes një vakumi, përçimi i tingullit kërkon praninë e një mjedisi elastic. Shpejtësia e lëvizjes së tij në ajër të thatë është rreth 331 m/s, ndërkohë që shpejtësia e shpërhapjes së tij në një mjedis nuk ndryshon. Nga ana tjetër ajo është më e madhe në mjedise të ngurta sesa në gaze, ku përfshihet edhe ajri.

Tingulli formohet si rezultat i ndryshimeve të valëve zanore të tryshnisë së ajrit dhe ka dy karakteristika kryesore:

Frekuenca

Vala e një toni të pastër është periodike, ndërsa frekuenca është numri i valëve që përshkojnë një pikë të dhënë në një kohë të dhënë. Ajo shprehet në herc (Hz). Sa më e shkurtër të jetë gjatësia e valës, aq më e madhe do të jetë frekuenca e tingullit. Diapazoni i frekuencave që mund të dëgjojë njeriu është nga 20 deri në 20000 Hz. Veshët tanë janë më të ndjeshëm ndaj frekuencave ndërmjet 1400 – 4000 Hz. Brenda këtij diapazoni ne mund të dallojmë dhe frekuencat që ndryshojnë me 2 – 3 Hz.Tingujt me frekuencë shumë të ulët (më të vogël se 20 Hz) krijojnë valë shtypëse që përshkon të gjithë rrugën nëpër koklea, por nuk arrijnë dot në organin e Kortit. Pra janë nën pragun e dëgjimit.
Frekuenca të ndryshme të tingullit ne i perceptojmë si diferenca të timbrit (“ngjyrës”) të tingullit. Sa më e lartë të jetë frekuenca aq më i hollë dhe më i mprehtë perceptohet një tingull i caktuar. Shumica e tingujve të perceptuar gjatë jetës së përditshme janë përzierje të disa frekuencave. Kjo karaktikë e tingullit quhet cilësi dhe na bën të aftë që të njëjtën notë muzikore ta perceptojmë ndryshe kur e këndon një soprano, dhe ndryshe kur e dëgjojmë nga një piano ose klarinetë. Është cilësia e tingullit ajo që e përcakton pasurinë ose kompleksitetin e tingujve (dhe muzikës) që dëgjojmë.

Intensiteti

Intensiteti është një karakteristikë fizike objektive dhe e vlefshmërisë së tingullit, kurse lartësia e tingullit ka të bëjë me interpretimin tonë subjektiv të intensitetit të tij. Intensiteti i tingullit matet me njësi logaritmike që quhen decibel (dB). Në një audiometër klinike, shkalla e decibelëve përcaktohet arbitrarisht dhe fillon nga 0 bB, që është pragu i dëgjimit për veshët normal. Çdo rritje me 10 dB shoqërohet me një rritje 10 fishe të intensitetit të tingullit. Ndërkohë, intensiteti i tingullit që mund të dëgjojnë veshët e njeriut, pa ndier dhimbje luhatet nga 0.1 deri në 120 dB. (Pragu i dhimbjes është 130 dB).

Amplituda

Intensiteti i tingullit lidhet me energjinë e tij ose me diferencën e trysnisë që ekziston ndërmjet zonave të ngjeshura ose zonave të rralluara. Grafikisht, intensiteti i tingullit i përgjigjet amplitudës së tij ose majës së valës së tingullit.